sq | en

AMAZONET SHPRESËS NË BALLKANIN E EGËR



 

Tetovo, Macedonia  Prokurorja Publike Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, ka vënë një qëllim ambicioz para vetes – të arrestojë të gjithë politikanët e korruptuar të pushtetit. Institucioni që udhëheq ajo u themelua vitin e kaluar për të hetuar përgjimet që i publikoi opozita, të cilat kanë të bëjnë me afera korruptive të njerëzve më të fuqishëm të vendit.

flickr/cc/Aslan Media

Maqedonia u fut në një krizë të thellë politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2014, kur opozita e udhëhequr nga e majta Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM) nuk pranoi rezultatet e fitores së partisë së djathtë VMRO-DPMNE, e cila qeveris vendin që nga vitit 2006. Para një muaji Janeva doli me një konferencë shtypi mjaft të guximshme, e shoqëruar nga dy prokuroret e ekipit të saj – Lençe Ristevska dhe Fatime Fetai. Paralajmëroi hetim të falsifikimit zgjedhor dhe të aferave tjera korruptive, gjë që shkaktoi reagime të ndara në opinion. Përkrahësit e opozitës e panë Janevën dhe dy koleget e saja si shpëtimtarë të Maqedonisë. Por, mediat e afërta me pushtetin filluan sulmin e koordinuar për denigrim të dinjitetit të tyre, duke u shërbyer me një diskurs eksplicit të diskriminimit gjinor.

BALLKANI I EGËR

Janeva ka pranuar një detyrë në një vend në zemër të Ballkanit, i njohur si një “maço” rajon që e ka rëndë të dalë nga këto korniza konservatore. I ndarë në shtete të armiqësuara midis tyre, popujt e këtij rajoni e kuptojnë paqen vetëm si një përgatitje për luftë. Të ngatërruar në histori dhe të mbërthyer me ndjenjën e viktimizimit, popujt e Ballkanit kanë bërë që kjo pjesë e Evropës të ngelet një vend i egër ku roli i parësor femrës është të sigurojë zgjerim të kombit me atë që do të lindë më shumë se tre fëmijë. Ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gashiq komentoi me seksizëm eksplicit gazetaren që mbante mikrofonin përderisa kishe ra në gjunjë para tij për të mos u penguar kolegëve kameramanë.

“Më pëlqejnë gazetaret që kështu lehtë bien në gjunjë”, ishte deklarata që nxiti reagime në opinionin publik të Serbisë. Gashiq u detyrua të dorëhiqet, por edhe në këtë vend gruaja kryesisht trajtohet me paragjykime konservatore.

Tani ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga shpesh ishte cak i sulmeve mediatike, të cilat përdornin një diskurs jo edhe aq eksplicit për të deningruar rolin e saj. Spekulimet dhe dezinformatat për gjoja shtatzëninë e saj përmbanin një seksizëm implicit, i cili deri te lexuesi dërgonte mesazhin për paaftësinë e një femre për të udhëhequr me shtetin.

Edhe vendet tjera të rajonit nuk mund të lavdërohen kur flitet për përqindjen e përfaqësimit të femrës në politikë. Historia luan një rol kyç në determinizmin e së tashmes politike, sociale dhe kulturore të popujve të Ballkanit. Në vend të leksionit që duhet mësuar nga armiqësitë e së kaluarës që prodhuan tri luftëra, historia e vendeve të rajonit vazhdon të jetë një burim i ri i konflikteve. Ngjarje të dhimbshme nga historia e gadishullit gjithmonë janë pengesa kryesore për lidhjen e bashkëpunimeve që do të sillnin dobi për të gjitha vendet. Ky ambient i vrazhdë bën që politika apo sfera publike në përgjithësi të dominohet nga meshkujt.

Femrën e parë si kryeministre Sllovenia e pati në vitin 2013, kur qeverinë e udhëhoqi Alenka Bratusek. Pas një viti, ajo dha dorëheqje nga posti pasi humbi zgjedhjet për kryetar brenda partisë “Positive Slovenia” nga kundërkandidati Zoran Jankovic.

Në vitin 2014 Kroacia zgjodhi presidenten e parë të shtetit femër. Kolinda Grabar Kitanovic fitoi zgjedhjet presidenciale, por gjatë fushatës u gjet përballë një diskursi seksist nga ana e kundërkandidatëve meshkuj.

PUNËSIMI DHE MOBINGU

Shumica e vendeve të Ballkanit kanë vendosur kuota ligjore për përfaqësim të femrës në politikë. Në listat e kandidatëve të partive politike ligjërisht duhet të ketë së paku 30 për qind kandidate femra.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) në Maqedoni, përmirësim në këtë drejtim ka edhe në numrin e të punësuarve femra. Në vitin 2000 numri i femrave të punësuara ka qenë 14 për qind, ndërkohë në vitin 2010 arrin në 22.4 për qind. Megjithatë, kjo rritje prej 8.4 për qind dhe kuotat ligjore nuk kanë arritur efektin e dëshiruar.

Në diskursin e qeverisë konservatore në Shkup shpesh femra portretizohet si një amvise e mirë që duhet të lindë së paku tre fëmijë. Në dioptrinë e pushtetit, femra nuk ka të drejtë as të abortojë, pa mos marrë pëlqim paraprak nga “komisioni etik”.

Uranija Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoni, ka ngritur disa herë zërin kundër këtyre politikave.

Ajo thotë se jo vetëm ky ligj, por edhe diskursi i personave publik që përkrahin qeverinë është diskriminues ndaj gruas, si pjesë aktive e sferës publike.

“Nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e çështjeve kryesore që lidhen me të drejtat e grave. E shihni se çfarë fjalori seksist është prezent posaçërisht në rrjetet sociale?”, pyet Pirovska.

Sipas saj, mënyra se si disa njerëz që drejtojnë politikën apo institucionet shprehen flet për atë se çfarë botëkuptimi kanë ato për barabarësinë gjinore.

“Kur do ta kuptoni se kundër atyre njerëzve duhet të luftoni, atëherë ajo luftë bëhet edhe më e rëndë”, shton Pirovska. Ekspertët vlerësojnë se raporti ndaj gruas nuk ka të bëjë aq me ndikimin e religjioneve të ndryshme sa me traditën konservatore të popujve të ndryshëm të Ballkanit.

Statistikat tregojnë se gratë në Maqedoni më shumë ankohen për mobing, si një formë e diskriminimit në baza gjinore. Shqetësimet seksuale që gratë i përjetojnë në vendet e punës në të shumtën e rasteve shkaktohen nga shefat e tyre, të cilët janë burra. Rrjedhimisht, edhe ofendimet që i marrin gjatë orarit të punës kanë bazë seksuale.

“Gratë akoma shihen si një objekt mbi të cilin burrat tentojnë ta dëshmojnë dominimin e tyre. Kjo shpesh ndodh edhe gjatë orarit të punës”, thotë Pirovska. Ajo thotë se te zyra e saj ka parashtresa për mobing gjatë gjithë kohës, por se shpesh nuk ka epilog për të njëjtat.

“Gjithçka varet nga deklaratat, dëshmitarët dhe kolegët e punës. Por, ato shpesh refuzojnë të paraqiten si dëshmitarë në këto procedura nga frika e humbjes së vendit të punës”, nënvizon Pirovska.

Aktivistët për të drejtat e grave janë të paluhatshëm në konstatimin e tyre se në Maqedoni, por edhe në rajon, diskriminimi gjinor ekziston. Në administratën shtetërore dhe publike në Maqedoni mbi 60 për qind janë femra, por në strukturat udhëheqëse pjesëmarrja e tyre është afër 30 për qind.

Në realitetin e egër mashkullor të Ballkanit, femrat aktive në sferën publike shpesh shihen si “amazone”, një term që buron nga mitologjia greke e që u referohet femrave luftëtare. Lufta e “amazoneve” është e drejtë por njëkohësisht edhe e vështirë. Ato gjithnjë e më shumë janë prezentë dhe aktive në sferën publike, gjë që përbën një shpresë për një perspektive paqësore të këtij rajoni të trazuar.


Published April 2016




   WRITE YOUR PERSPECTIVE     TRANSLATE THIS ARTICLE 



other perspectives on this topic